Vllaznia në rrezik, ja si po luajnë me fatet një legjende dhe ndjenjat e mijëra shkodranëve

Humbja e Vllaznisë në Durrës me Teutën në shifrat 2-0 rëndon edhe më shumë pozitat e kuqebluve. U mendua se skuadra kuqeblu mori një hov ndryshe duke qenë sa më larg mbijetesës por humbja në Durrës ka prishur çdo plan të shkodranëve. Një ndeshje e dobët për Vllazninë e cila ndaj Teutës nuk bëri asgjë të paktën për të merituar barazimin. Në një ndeshje që pritej me një rivalitet të plotë Teuta fitoi lehtësisht ndaj një Vllaznie e cila u duk si e dorëzuar të paktën që pas golit të parë të vendasve. Që para ndeshjes tekniku i Vllaznisë Ernest Gjoka kishte parashikuar një përballje të vështirë dhe në fakt ashtu rezultoi, skuadra e tij nuk arriti që të kthehej me pikë nga kjo transfertë. Tashmë për Vllazninë, Kamzën dhe Teutën, 3 skuadrat që diskutojnë mbijetesën kanë mbetur edhe 7 javë.

Humbja e Vllaznisë pavarësisht se ende asgjë nuk është mbyllur ka krijuar një mungesë të fortë besimi se ky ekip mund t’ia dalë në këtë sezon për të shpëtuar nga rënia prej kategorisë Superiore. Lufta tashmë është gjithnjë e më e egër dhe Vllaznia ka treguar se jo çdo herë di ta përballojë, aq më tepër në këtë sezon që po rezulton më i vështiri në këto vitet e fundit. Me disfatën ndj Teutës skuadrës shkodrane mund t’i ketë humbur qetësia pas një serie rezultatesh pozitive duke mos i mjaftuar vetëm dashuria që mund të kenë stafi teknik apo edhe lojtarët.

Do të ishte mëse e turpshme që kuqeblutë sezonin e ardhshëm të luajnë në Kategorinë e Parë për shkak se është 100 vjetori i krijimit të këtij klubi. Muajt po kalojnë dhe ky ekip nuk sheh ndonjë shpresë për privatizimin çka do ishte edhe shpëtimi i vërtetë për Vllazninë. Kryetarja e bashkisë Voltana Ademi ka lënë si afat muajin maj për privatizimin por është shumë larg një gjëjë të tillë. Të paktën edhe 6-7 muaj klubi për shkak të procedurave nuk të privatizohet ndërsa kjo periudhë shkon edhe më shumë nëse këto procedura nuk përfundojnë ashtu siç duhet.

Kjo do thotë se Vllaznia vijon të mbahet politikisht dhe sipas gjasave të paktën deri pas zgjedhjeve lokale të 2019-të bashkia Shkodër nuk ka ndërmend ta lëshojë këtë ekip duke rrezikuar ndjeshëm dhe duke luajtur me fatet e saj dhe ndjenjat e mijëra vetëve, tifozë të çmendur të këtij ekipi që solli futbollin për herë të parë në Shqipëri./ShkodraNews

Lexo edhe: