Skandaloze, Ja prej sa muajsh nuk marrin rrogat lojtarët e Vllaznisë

Sezonin e ri e nisi me disa rezultate negative, por me kalimin e javëve skuadra e mori veten dhe rregjistroi disa fitore rradhazi. Po flasim për ekipin e Vllaznisë B. Një ekip i drejtuar nga ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Ervis Kraja, që mes mungesës së mbështetjes të Bashkisë Shkodër dhe luftës së ashpër sportive në Kategorinë e Parë do të mundohet të zërë 5 vendet e para në këtë kategori.

Por, duket se problemet e fillim-sezonit të kësaj skuadra do të rishfaqen përsëri. Sipas Eduasportin.com, ekipi i dytë i Vllaznisë nuk ka marrë rrogat prej muajit janar të vitit 2016, pra praktikisht lojtarët janë 1 vit pa rroga. Kësisoj, të gjitha rregullat e FIFA-s janë shkelur dhe nga ana tjetër lojtarët e këtij ekipi janë të lirë të largohen kur të duan.

Të ardhurat e vetme për lojtarët e kësaj skuadre kanë qënë premiot e ndryshme që janë akorduar nga njerëz të sportit në Shkodër dhe miq të trajnerit Ervis Kraja. Ndërkohë, Bashkia Shkodër, institucioni që drejton edhe këtë ekip, duket se e ka lënë në harresë të plotë. /ShkodraNews