Shpresoj që mjekët të jenë dorëhequr dhe nga marrja e lekëve nën dorë…

Nga Alma Nikolli

Para jo shumë kohësh, natën vonë, duke shoqëruar një familjar u nisa për në urgjencën e QSUT. Pak me nxitim prej dhimbjes së të sëmurit, e pak me përtesë prej shërbimit zakonisht të munguar spitalor, arritëm të “sajoheshim” në një krevat në korridor.

Mjekët dhe infermierët gjatë natës dukshëm ishin të paktë.

Një mjeku apo infermieri i duhej të përballej me sëmundjen e shumë pacientëve, por edhe me inatin e familjarëve.

Nëse nuk ka krevate, serume apo staf, mjekët janë ata që fajësohen.

Ata vraponin sa në një krevat në tjetrin, ndërsa ne të gjithë pretendonim se dhimbja e të afërmit tonë është më parësorja dhe më e madhja.

Edhe pse na sorallatën pak sa te njëri pavion, sa te tjetri, shërbimin e morëm.

I sëmuri në krevatin me mure prej perdesh në korridor, ndërsa ne ulur në pllakat e korridorit këmbëkryq.

Infermierët e mjekët vijojnë marrin ndonjë lekë nën dorë.

Atë natë e vura re më pak, po në raste të tjera edhe më shumë.

Para se të largoheshim mjeku më thirri, më pyeti për emrin e pacientit e moshën, dhe vijoi të shkruajë.

Pasi mbaroi, më komunikoi me mirësjellje ç’duhet të më thoshte dhe gati pakuptimshëm filloi t’i mëshonte stilolapsit nëpër shkrim për të dytën herë.

Unë gjithsesi nuk do ta kuptoja atë shkrim të pakuptueshëm mjeku, megjithatë mu duk se ai po përpiqej të fitonte kohë me mirësjellje, që t’i jepja ndonjë lekë. I thashë faleminderit dhe ikëm.

I vetmi faj i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë është se kanë marrë para nën dorë sa kanë mundur.

Duke filluar që nga 2 mijë lekësha të arnuar me ngjitësa e deri tek 100 euroshe të padjersituara.

Jo të gjithë janë të tillë, por për fajin e atyre që janë, ne kemi humbur besimin te humanizmi i tyre.

Një adoleshent që ka ëndrrën për t’u bërë mjek sakrifikon më shumë se moshatarët e tij nga argëtimet, vetëm e vetëm që të ketë një mesatare për ta nisur këtë degë.

Më pas, më shumë se çdo student, ai i dedikon vite e jete e orë studimi degës së preferuar.

Dhe vjen momenti kur bëhet mjek.

Dikush ikën në Gjermani, dikujt i bëhet Hipokrati, hipokrit dhe të tjerët o pasurohen nën dorë, o vuajnë idealizmin e tyre.

Rebelizmi i mjekëve të urgjencës është shpresë…qoftë edhe nxitje për kolegët e tyre, nxitje që të heqin dorë nga marrja e parave nën dorë.

Lexo edhe: