Humbje e dyfishtë e Vllaznisë në Durrës

Vllaznia shkoi në Durrës për të marrë të paktën 1 pikë në “finalen e mbijetesës” ndaj Teutës vendase. Shkodranët ishin të kënaqur edhe me një barazim përballë një Teute që kërkonte me ngulm fitoren. E një gjë e tillë u pohua edhe nga trajneri Gjoka edhe pse nuk u arrit në fund të 90 minutave të ndeshjes.

Por, humbja e kuqebluve në Durrës është e dyfishtë. Vllaznia përveç se doli me 0 pikë nga stadiumi “Niko Dovana”, humbi edhe 10 mijë euro. Shkodranët bënë më herët kërkesë në FSHF për arbitra të huaj. Natyrisht Federata Shqiptare e Futbollit pranoi, përkundrejt një shume prej 10 mijë eurosh. As Teuta nuk ishte kundër.

Por, edhe me arbitra të huaj, Vllaznia nuk tregoi asgjë në fushën e lojës. Kërkoi lojë të pastër nga arbitrat dhe atë mori, por detyra e saj nuk i kreu siç duhet. Pra, mori edhe një humbje financiare, pasi është një shumë e konsiderueshme, që nuk është pak për një ekip që ka probleme me rrogat. Në këtë sfidë, Vllaznia humbi 3 pikët, 10 mijë eurot dhe “miqësinë” me durrsakët. /ShkodraNews