HISTORIA/ “Ia kam treguar të gjitha, tani ai mendon se unë jam…”

LETRA:

Përshëndetje Ervisa! I dashuri im më thotë se nuk martohet dot me mua se i vjen turp nga njerëzit. Unë i kam treguar atij gjithë lidhjet që kam patur dhe mesa duket tani ai mendon se unë jam e përdalë. Mos vallë bëra gabim?

-Përshëndetje e dashur! Situata që ti paraqet në fakt është qartazi një situatë refuzimi dhe mos kapërcimi paragjykimesh. I dashuri yt nuk pranon të martoheni bashkë për shkak se ti ke patur disa lidhje përpara tij, pra numri i lidhjeve e bën atë të mos hedh dot hapin final drejt bashkimit në altar.

Ti vetë e ke pyetur ndonjëherë se çfarë ndien ai realisht për ty? Nga koha që jeni bashkë si e ke ndjerë ti veten në krahë të tij? Fakti që i ke treguar të vërtetën nuk ka të bëjë me të, por me ty. Kjo tregon një vlerë dhe parim tëndin dhe duhet vlerësuar maksimalisht. Nëse dëshiron të hysh në një raport serioz sigurisht që e vërteta duhet të jetë prezent. Nëse ne dashurojmë vërtet jemi në gjendje jo vetëm të tregojmë të vërtetën, por të mbysim paragjykimet. Dashuria që çon në martesë është ajo që prioritet ka lumturinë dhe kjo lumturi arrihet duke patur përherë pranë njeriun që do më shumë. Ajo se çdo të mendojnë të tjerët është një fazë e kaluar e cila nuk mund të të dominojë. Nëse ai nuk pranon të martohet me ty atëherë çfarë do të ndodhë me lidhjen tuaj? Ka ai një përgjigje për këtë? Nëse ai nuk arrin dot të të pranojë siç je tregon se ai nuk arrin dot të dashurojë vërtet. Jepi kohë që të reflektojë dhe nëse vazhdon sërish e njëjta situatë besoj se përgjigjen e ke shumë të qartë. Mos u pendo kurrë që tregove të vërtetën, përkundrazi ajo të ndihmoi të kuptoje se njihje më mirë të dashurin tënd.

Burimi: GSH