Hipokrizia e Voltana Ademit me rrugën e Thethit dhe loja që vazhdon!

Ka disa muaj që rruga drejt pikës turistike të Thethit është e bllokuar nga dëbora, duke e bërë tërësishst të pakalueshme. Në 16 kilometrat e saj nga Qafa e Thores e deri në brëndësi të fshatit, alternativa e vetme për të depertuar është në këmbë, duke ecur përmes shtigjeve, pasi zgjidhje tjetër nuk ka. Trashësia e dëborës arrin në 50 deri në 70 centimeter, e në zona të caktuara si pasojë e stuhive dhe orteqeve edhe mbi 1 meter.

Por pikërisht kur në këtë zonë është e pamundur të shkohet, e izolimi është kryefjalë e muajve të dimrit, Voltana Ademi zgjedh të bëjë “shown” e radhës, duke ju prezantuar në zyrën e saj banoreve projektin e rikonstruksionit të kësaj rruge që do të bëhet me mbështetjen e bankës botërore, e që kap vlerën e afro 800 milion lekëve. Mbi 50 banorë të zonës ishin në zyrë dhe pasi e dëgjuan prezantimin qesharak të drejtuesve të zyrës urbanistike të bashkisë dhe fjalën e vetë Ademit, ata nuk guxuan t’ia plasin në sy faktin se ata nuk kanë dalë për ta parë në terren gjendjen, por kanë skicuar sipas mendjes së tyre vetëm nga ajo që kanë parë e gjetur në internet. Banorët me fakte konkrete e sipas zonave i treguan Ademit dhe stafit të saj se ku “dështon” projekti i tyre, që nga tunelet apo muret mbrojtëse, që vijnë në ato zonë ku dëbora bën kërdinë, pasi orteqet janë të njëpasnjëshme.

Duke qënë edhe më konkret thethianët shtuan se zgjidhja janë tarracat, të shumë diskutuara edhe në periudhën e komunizmit, pasi ato janë zgjidhja e vetme që mund të shpëtojnë nga dëbora, orteqet e stuhitë rrugën nga Qafa e Thores e në vazhdimësi. Nga ana tjetër i treguan edhe faktin se rruga nga Boga deri në Qafë Thore që është në varësi të bashkisë Malësi e Madhe nuk është pastruar në pjesën më të madhe të stinës së dimrit, e projekti i nxituar me kthesa të ngushta e të rrezikshme e ka bërë të paaksesueshme për autobusët këtë segment, ndryshe nga cfarë ndodhte në vitet e komunizmit.

E duke ja plasur në sy të gjitha këto paqartësi e padituri që stafi i saj ka patur si në hartimin e projektit ashtu edhe në prezantimin e dobët, banorët i tërhoqën veshin përpara se të nisë puna në terren. Ademi me stilin e saj “unik” thuaj e premto, por mos bëj asgjë, edhe këtë herë nuk nguroj të vijojë fjalën e saj duke ju premtuar një takim të dytë, apo edhe të tretë për t;iu prezantuar korigjimet e projek- propozimit, sipas atyre cfarë kishin parashtruar përfaqësuesit e komunitetit të Dukagjinit, në veçanti ato të Thethit. Por kryebashkiakja e Shkodres në gjithë këtë periudhë është treguar e pandershme e madje ka genjyer publikisht kur ka thënë se Thethi nuk mund të hapet pasi nuk e lejojnë emergjencat civile, pasi bashkia e saj kishte dërguar fadromat atje.

Në fakt realiteti është tjetër, pasi të kontaktuar drejtues të emergjencave hedhin poshtë këtë prononcim të saj, duke theksuar se ata nuk kanë dhënë asnjë deklaratë të tillë për rrugën. E përpara se Ademi të gjejë kohët më të papërshtatshme për “show” e fasada televizive sëbashku me stafin e saj, të bëjë një punë konkrete në terren, e të zgjidhë realisht problemin aktual të Thethit, qe mban zonën e izoluar, turizmin e paralizuar, e banorët larg bujtinave të tyre.

Gjendja e kësaj të hene 12 shkurt në qarkun Shkoder është kjo sa për infomimin e Ademit, që nga zyra e ngrohtë prezanton projekte që rrezikojnë të shpenzojnë miliona para, por pa zgjidhur problemet reale të kësaj zone: Bashkia Shkodër, aksi rrugor Shkodër–Theth, vazhdon të jetë i bllokuar mbi 1 metër dëborë në vendin e quajtur Qafë Thore, aksi rrugor Shkodër–Breg Lumi, në vendin e quajtur Mali Shoshit 20 cm dëbore, i kalueshëm me zinxhir./ShkodraNews