Është mbyllur merkatoja e janarit për ekipin e Vllaznisë ?

Është mbyllur merkatoja e janarit për ekipin e Vllaznisë ? Kjo është pyetja që po tundon tifozët shkodranë në këto ditë të merkatos së dimrit. Afrimi i Sukajt, Berishës, Mersinit dhe Malotës natyrisht ka rikthyer disi qetësinë në kampin shkodran, ku shpresohet që pjesa e mbetur e sezonit të jetë ndryshe për kuqeblutë.

Por, a mjaftojnë vetëm këto 4 përforcime ? Nuk ka më nevojë Vllaznia për lojtarë ? Sigurisht për repartin e mbrojtjes dhe të mesfushës situata duket më e qetë. 3 mbrojtës të afruar në janar nuk janë pak, duke marrë parasysh edhe lojtarët e tjerë që janë në përbërje. Edhe mesfusha ka lojtarë të mjaftueshëm pavarësisht largimit të Hasanit.

Por, problemi vijon të mbetet sulmi. U largua Atsina, erdhi Sukaj. Në ekip është edhe Ribaj. Por, ky repart përsëri vijon të mbetet problematik. Për këtë arsye, drejtuesit shkodranë e konkretisht trajneri Ernest Gjoka po mundohen të kryejnë një goditje edhe në këtë repart. Sukaj dhe Ribaj nuk ofrojnë siguri për ndeshjet e mbetura dhe afrimi i një sulmuesi do bënte që Gjoka të futej më i qetë në ndeshjet e mbetura.  /ShkodraNews