Erion Veliaj, djali “pangprishës” i kryeministrit Rama

Dihet prej kohësh dhe nga të gjithë tashmë që Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk e kanë më as afrimitetin, as bashkëpunimin dhe as miqësinë që kanë pasur në fillimet e partneritetit të tyre në politikë.

Lali Eri, siҫ kryetarit të bashkisë i pëlqen ta thërrasin, ka qenë në fillimet e veta bir në shpirt i kryeministrit Rama.

Thuhej se tek ai piktori shikonte një djalosh me të ardhme të ndritur, karizmatik dhe ambicioz aq sa ҫ’duhej për ta vënë në përballje të vështira me elektoratin.

I sprovuar në shoqërinë civile, me një të shkuar të vështirë dhe jo shumë të qartë për publikun, Erioni ishte emri dhe figura e duhur që Rama e përdori aq sa deshi përpara se ai të futej zyrtarisht në politikë.

Gjatë kësaj kohe natyrisht nuk munguan as aferat mes tyre, edhe në kohën kur Erioni ishte pjesë e shoqërisë civile dhe drejtonte një grup të rinjsh, shumicën e të cilëve i braktisi me kalimin e kohës, edhe më vonë kur u bë ministër dhe provoi shijen e mirë dhe të vërtetë të pushtetit.

Për shumë kohë, Rama dhe Erioni ishin bashkëpunëtorë të afërt, ortakë në politikë dhe të mirat materiale që vijnë prej saj, dy njerëz me pushtet që dukej se kishin një qëllim të përbashkët.

Por ka kohë tashmë që kjo ortakëri është prishur. Ka kohë që po ndodh ajo që ka ndodhur edhe më parë me të zgjedhurit e liderit suprem dhe që rastësisht ose jo më shumë kanë spikatur në drejtimin e Bashkisë së Tiranës (rasti më pikant është i vetë kryeministrit Rama).

Pasi u fuqizua aq sa deshi ekonomisht, Erionit filloi t’i pëlqejë pushteti dhe t’i rritet ambicja. Ai ka krijuar një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh që mund të quhen pa frikë kamikazët e kreut të bashkisë.

Edhe pse 2\3 e muajit Erion Veliaj nuk gjendet fare në Shqipëri, mediat flasin ҫdo ditë për të. Kronikat e përgatitura në zyrat e bashkisë transmetohen pa censurë nga ҫdo media, pasi kryetari bleu me leje ndërtimi dhe afera të tjera pothuaj ҫdo pronar që ka media të qënësishme në vend.

Aktualisht Erioni as që e diskuton fare se zgjedhjet e ardhshme i ka të fituara, pavarësisht se ëndrra e madhe e tij është që shumë shpejt t’i zërë vendin njeriut që ia shtroi rrugën deri aty ku është, vetë kryeministrit Edi Rama.

Dhe ky i fundit nuk ka më asnjë mekanizëm që të kontrollojë këtë djalë pangprishës që i ka dalë nga tufa. Ai është munduar të ҫojë njerëz të tij në bashkinë e Tiranës, por edhe kjo duket se nuk po funksionon më.

E fundit në listë thonë se është drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të Tiranës, Julinda Dhame. Ajo dihet që ka punuar gjatë për kryeministrin Rama dhe ky nuk ia ka kursyer shpërblimet.

Pasi iku pa lavdi nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, Julinda drejton një drejtori që mund të quhet një ndër më të pasurat sa i takon buxhetit në bashkinë e Tiranës.

Vetëm se me një kronologji të tillë ngjarjesh Julindës i është dashur të punojë në dy krahët: të spiunojë tek kryeministri për punët e Erionit, por edhe t’i bëjë qejfin shefit të saj.

Thonë se Erioni nuk e ka edhe aq për zemër drejtoreshën e vet, por nuk e ka ende guximin ta përzërë njeriun e afërt të kryeministrit, për të cilën e di se ha në të dy krahët.

Kryetari i ka dhënë provat se është i duruar dhe di të presë e të punojë për momentin e vet të artë.

Ndërsa Julinda vetë ka kohë që e shtyn me këtë lojë të dyfishtë duke përfituar sa mundet në pozicionin e një drejtoreshe të rëndësishme në bashki.

Duhet thënë se bashkia e Tiranës ka edhe të tjerë personazhe “të famshëm” që paguhen mirë nga kryetari e që shërbimet që i bëjnë atij janë krejtësisht të dyshimta.

Por kjo është tjetër ҫështje. Fundja për t’i dalë kaq hapur kryeministrit, për t’i prishur planet e tij të kullave të larta në kryeqytet duke shtuar edhe ca të tjera sipas qejfit të kryetarit riosh të bashkisë duhet guxim.

Guxim dhe një plan i menduar mirë, me një formulë që dihet se funksionon e ku bëjnë pjesë edhe drejtoresha si Julinda edhe “këshilltare” që nuk bëjnë asgjë, të kryetarit./Pamfleti.com