Ekskluzive/ Ja emrat që pretedojnë të marrin drejtimin e PD Shkodër

Partia Demokratike e Shkodrës edhe pse ende jo zyrtarisht ka nisur përgatitjet e saj për zgjedhjet brenda llojit që pritet të zhvillohen. Në fund të muajit prill në PD do të mbahet Konventa dhe pas saj sipas burimeve nga qershori mund të zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e PD në gjitha degët në rrethe. Në këtë mënyrë tashmë demokratët shkodran kanë nisur përgatitjet por si gjithmonë jo hapur por nën zë.

Tashmë sipas burimeve janë përcaktuar deri diku edhe klanet, fragmentet, grupet ose personat të cilët kanë ego për të qenë në krye të PD-së Shkodër. Gjërat janë ndarë dhe tashmë të gjithë e kanë të qartë se kush është me kë dhe mbështetjen dhe lojën që po bëhet.

Sipas burimeve kreu aktual i PD Ramiz Çobaj nuk ka më mbështetjen që ka patur dhe pritet një vetëlargim i tij por asnjëherë nuk i dihet dhe Çobaj mund të pretendojë sërish edhe pse praktikisht gjasat janë që luftën e ka të humbur për vetë mënyren si funksionon PD.

Një grupim i fortë brenda PD-së Shkodër është ai i kryetares së bashkisë Voltana Ademi dhe të besuarve të saj. Ky grupim pritet që të ketë një kandidaturë duke patur edhe mbështetjen e deputetit Bardh Spahija. Potencialisht ky grupim ka shanset për të patur kreun e PD duke qenë se kjo lidhet edhe me të punësuarit që janë në bashki apo institucione varësie pa harruar ata që shpresojnë të punësohen.

Kryebashkiakja nuk është e vetme në këtë luftë sepse një tjetër lobim i fuqishëm dhe që mund të jenë vendimtar është ai i deputetit tjetër Lorenc Luka bashkë me kryetarin e këshillit bashkiak Xhemal Bushati, nënkryetarin e këshillit të qarkut Maxhid Cungu dhe disa emra të tjerë me peshë specifike dhe të njohur brenda PD-së. Ky grupim duke patur edhe eksperiencën por edhe shumë njohje mundet që të vendosë për kreun e ardhshëm të PD-së Shkodër. Në fakt grupim i kryebashkiakes dhe ky grupim kanë luftën më të fortë dhe fituesi me shumë gjasa do të jetë mes këtyre dy kampeve.

Ajo që mund të pretendojë duke mos hequr dorë nga marrja e lidershipit në PD-në Shkodër është edhe nënkryetarja aktuale e kësaj force politike Greta Bardeli. Duke pretenduar një mbështetje nga kryetari Basha, Bardeli ose mund të kandidojë vetë ose mund të ketë një emër që e mbështet.

Nuk duhet të neglizhohet PD-ja e Vau Dejësit. Edhe pse një degë e ndarë ata kërkojnë që të kenë influencën e tyre edhe tek PD-ja e Shkodrës, madje duke patur të tyrin kryetarin e ardhshëm. Kështu grupi në fjalë përbëhet nga kreu i bashkisë Vau Dejës Zef Hila, Gjokë Uldedaj dhe mbështetës të tyre.

Sa i përket emrave për kryetar të PD deri më tani ai që është vetëshpallur është Arian Peraj i cili drejton sindikatën e arsimit në Shkodër dhe prej kohësh është një zë kritik në publik ndaj qeverisë, fokusuar tek problemet e arsimit. Një tjetër emër që mund të kandidojë është ai i nënkryetarit të këshillit të qarkut Maxhid Cungu. Po ashtu nga brenda bashkisë Shkodër emri që përflitet është ai i drejtorit të të ardhurave Blendi Gjylbegaj. Nuk përjashtohet edhe këtë herë Sokol Ramadani, një emër që përflitet sa herë ka zgjedhje në PD dhe kësaj radhe është më afër se asnjëherë për të kandiduar. Këto janë emrat e deritanishëm ndërsa në vijimësi mund të shtohen edhe emra të tjerë./ShkodraNews