Çfarë po u bëni burrave?! Helm vdekjeprurës në vend të kontraceptivëve…

Pas shumë e shumë vitesh kërkime, krijimi i kontraceptivëve për burra mund të jetë tani një hap më pranë finalizimit. Bëhet fjalë për një pilulë me bazë ouabain, një substancë toksike që derivon nga bima, e përdorur tradicionalisht si helm për të ndalur zemrën me të cilin lyheshin shigjetat në Afrikën lindore.

Teksa kontraceptivët për gra kanë qenë të disponueshme për gratë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 6 dekadash, asgjë nuk është bërë për burrat, të cilët mund të përdorin vetëm prezervativë ose të bëjnë vasektomi, metoda jo shumë të volitshme për mbartësit e penisit, që hera-herës tentojnë t’i shmangin.

Mësohet se ouabain ka aftësinë të prishë funksionin e rregullt të zemrës, por po ashtu edhe një nën-njësi transportuese të quajtur α4 që gjendet vetëm tek qelizat e spermës. Kjo proteinë dihet të jetë kritike në fertilitet, të paktën tek meshkujt minj ku janë bërë eksperimentet. Ekspertët po punojnë në krijimin e një pilule analoge me ouabain, që do të ngrijë nën-njësitë e spermës dhe jo ato të zemrës.